Osteoartriti është një patologji kronike e sistemit kockor. Karakterizohet nga zbutja dhe disintegrimi i kartilagos artikulare që vjen si pasojë e procese reaktive si: kongjestioni vaskular, formimi i osteofiteve dhe osteoblasteve dhe nga fibroza artikulare.

Osteoartiti është më tepër një proces se sa një sëmundje dhe është pasojë e një disbalance midis një stresi mekanik të ushtruar mbi sipërfaqen artikulare dhe aftësisë së kartilagos për ti rezistuar këtij stresi.

Osteoartriti është lloji më i përhapur i artritit (një sëmundje e artikulacioneve e cila prek më së shumti kërcin).

Kërci (ose kartilagoja artikulare) është indi i rrëshqitshëm që mbulon pjesën e fundit të secilës prej kockave të cilat bashkohen në një nyjë (artikulacion). Kërci i shëndetshëm i lejon kockat të rrëshkasin mbi njëra-tjetrën dhe ndihmon amortizimin e lëvizjeve tronditëse.

Në rastin e osteoartritit, kërci që mbështjell fundin e kockave tuaja zhduket gradualisht. Pa kartilagon artikulare, kockat fillojnë të ‘fërkohen’ me njëra-tjetrën dhe ky fërkim mund të shkaktojë dhimbje dhe ënjtje. Me kalimin e kohës artikulacioni mund të humbasë edhe formën normale.

Osteoartriti është një sëmundje e cila prek më shumë njerëzit e moshuar por ndonjëherë prek edhe moshat e reja, kryesisht për shkak të dëmtimit të artikulacioneve.

Faktorët e riskut

1. Mosha
2. Obeziteti
3. Densiteti kockor
4. Displazia e artikulacionit
5. Traumat
6. Profesioni
7. Sëmundjet inflamatore të artikulacioneve, etj.

Shenjat klinike

Njerëzit me osteoartrit paraqesin shenjat e inflamacionit lokal në artikulacione. Ato kanë dhimbje në artikulacione si dhe enjtje të tij. Si pasojë e enjtjes dhe dhimbjes shfaqet dhe ngurtësimi artikular (lëvizje të reduktuara). Në fazat e avancuara kemi dhe humbje të funksionit. Gjithashtu gjatë ekzaminimit shihet alterim i ecjes dhe instabilitet artikular. Në një radiografi të artikulacionit do të shohim kufizim të hapësirës artikulare

Diagnoza

Osteoartriti mund të prekë çdo artikulacion, por më së shumti prek duart dhe artikulacionet të cilat mbajnë pesha të mëdha si gjunjët, legenin (artikulacionin kokso-femoral) dhe kolonën vertebrale.

Shenjat paralajmëruese të osteoartritit janë:
– Ngurtësimi në një nyje pas ngritjes nga krevati ose pas qëndrimit ulur për një kohë të gjatë
– Enjtja në një ose më shumë artikulacione
– Ndjenjë e gërvishtjes ose krepitacione në artikulacion

hip-osteoarthritis-pic2

Rx. art. C/F. Ana e majtë është e prekur nga Osteoartriti ndërsa ana e djathtë paraqitet normale.

Për të diagnostikuar osteoartritin përdoren disa metoda të kombinuara si: historia mjekësore, ekzaminimi fizik, rrezet X (radiografia), analizat e gjakut si dhe kontrolli i lëngjeve në artikulacion. Vendosja e diagnozës është e lehtë por kujdes duhet bërë me sëmundje të tjera që japin shenja të njëjta me osteoartritin si: nekroza avaskulare, artropatitë inflamatore, poliartritet, etj.

Mjekimi

Programi mjekues për një të sëmurë me osteoartrit, përveç trajtimit medikamentoz përfshin edhe atë fizik, edukativ, ndihmës psiko-social dhe trajtimin kirurgjikal në fazat e avancuara.

Qëllimet kryesore në trajtimin e osteoartritit:
– Të përmirësojë funksionimin e artikulacioneve
– Të mbajë peshën e shëndetshme (e duhur) të trupit
– Të ulë dhimbjet
– Të përmirësojë mënyrën e jetesës

Këshillohet:

– Të mbajë pozicion të përshtatshëm të trupit gjatë ecjes dhe ulur sepse ul dhimbjen dhe parandalon dëmtimet e mëtejshme
– Reduktim i aktivitetit fizik
– Periudha pushimi 30-60 minuta, në mëngjes dhe pasdite në mënyrë që të lehtësohet diskonforti i anësivë të poshtme dhe i pjesës lumbare
– Dietë
– Ecje në këmbë ose me biçikletë, not, aerobi e leht, gjithnjë të programuara.

Trajtimi medikamentoz: Përdoren analgjezikët dhe anti-inflamatorët josteroidë kur sëmundja është në aktivitet si dhe kortikosteroidët në rrugë intraartikulare.

Trajtimi fizioterapeutik: Rekomandohet rehabilitimi fizik i pacientit, edukimi i tij rreth patologjisë, mësimi i ecjes dhe qëndrimi korrekt kur rri ulur, ushtrime për përmirësimin e fleksibilitetit dhe për forcimin e muskujve. Gjithashtu rekomandohet terapia me të ftohta ( kur artikulacioni ka dhimbje, enjtje, etj.) si dhe me të ngrohta kur nuk ka inflamacion.

Trajtimi kirurgjikal: Procedurat kirurgjikale që aplikohen tek të sëmurët me osteoartrit të rëndë janë artroplastika dhe artrodezis. Të dyja këto procedura qetësojnë dhimbjet.

2 mendime mbi “Osteoartriti: faktorët e riskut, shenjat klinike dhe trajtimi

Komentet janë mbyllur.